
Abdixhiku: LDK-ja respekton vullnetin qytetar në plotni, nuk pretendon ta anashkalojë atë
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka treguar se gjatë kësaj jave ka takuar ambasadorët e vendeve mike, me të cilët ka diskutuar për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Ai ka bërë me dije se aleatët e Kosovës i ka njoftuar se LDK-ja do të respektojë vullnetin qytetar të zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Në profilin e tij në “Facebook”, Abdixhiku ka shkruar se këtë vullnet LDK-ja nuk dëshiron dhe as nuk pretendon ta anashkalojë.
“Gjatë kësaj jave, prita në takim ambasadorët e SHBA-ve, Britanisë së Madhe, Bashkimit Evropian, Francës e Italisë. 🇺🇸🇬🇧🇪🇺🇫🇷🇮🇹. Me të gjithë, diskutuam mbi procesin zgjedhor, rezultatet e deritanishme, e domosdoshmërinë për pritjen e numërimit të secilës votë, përfshirë dhe ato të mërgatës. Siç kam deklaruar në vazhdimësi, LDK e respekton vullnetin qytetar në plotni. As nuk dëshiron e as nuk pretendon ta anashkalojë. LDK do të sillet konform këtij vullneti me plot përgjegjësi; siç dhe do të përfaqësojë denjësisht zërin e votuesit tonë. Falenderime të pafundme për mbështetjen e aleatëve tanë në çdo sfidë të Republikës”, ka shkruar Abdixhiku.