Abdixhiku: LDK-ja s’bëhet populliste si VV-ja për poena politike
Deputeti i Lidhjes Demrokatke të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se LDK-ja ka mënyra të tjerë për të fituar poena politike, pos të qenit popullist.
Ai e ka quajtur vetëvrasje poltike, popullimin e VV-së që në saje të temave populliste të merren poena politike.
“LDK s’mund të bëhet populliste siç bëhet Vetëvendosje dhe bën mirë që nuk bën një gjë të tillë. Do të ishte vetëvrasje që në kurriz të temave populliste të marrim poena politik dhe nuk është një gjë e mirë pasi në momente të tilla përgjegjësia është më e lartë”, ka thënë ai në “Klan Kosova”.
Sipas Abdixhikut, LDK-ja ka dalë në pah në momentet më kritike të Kosovës. “Narracioni i LDK-së është shpërfaqur në momente kritike të Kosovës si për shembull në rastin e Gjykatës Speciale. LDK-ja është bërë qendër e zhvillimeve pasi janë më të arsyeshëm dhe në qeverisje ka operuar në ambient pa precedent”, është shprehur ai.
Ndërsa sa i përket çështjes së gjeneratave në këtë parti, Abdixhiku e sheh si një “pasuri” dhe jo “pengesë”. “Kur bëhesh pjesë e një familjeje të tillë kupton që disa gjëra që janë përtej moshës pra në LDK kupton që ka njerëz që sot e kësaj dite mbajnë plumat për idenë politike në trupin e vet. Konsistenca e gjeneratave në LDK është pasuri dhe besoj që LDK-ja është 10 vite përpara partive politike pasi i ka kaluar disa pengesa duke marrë mësime jashtëzakonisht të kushtueshme. Pra në Kosovë, LDK-ja vazhdon të jetë faktor kryesor si pak lëvizje në rajon dhe mund të jetë më e ngadalshme por është më e përgjegjshme më e sigurt”, ka thënë pos tjerash Abdixhiku.