Abdixhiku: LDK-ja synon shmangien e zgjedhjeve të reja
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku ka thënë të enjten se partia që ai drejton synon të shmangë zgjedhjet e reja në Kosovë.
“LDK-ja synon t’i shmangë zgjedhjet. LDK-ja synon të kontribuojë në formimin e institucioneve dhe LDK-ja synon që këto institucione të jenë demokratike, por edhe t’i përfaqësojnë të gjitha partitë politike, në veçanti pozita e presidentit”, ka deklaruar ai para gazetarëve pas takimit të zhvilluar me zëvendëskryeministrin e Maqedonisë së Veriut Artan Grubi.
Zgjedhjet e shpeshta ai i ka cilësuar të mërzitshme dhe të kushtueshme për Kosovën.
Lidhur me unitetin e deputetëve të LDK-së sa i përket votimit për pozitën e presidentit në Kuvendin e Kosovës, ai ka thënë se për këto çështje duhet diskutuar fillimisht me organet e partisë.
“Besoj që gjatë vikendit do t’i formojnë organet e partisë, siç është kryesia e partisë, dhe aty e marrim vendimin për të gjitha çështjet, në koordinim të plotë më grupin parlamentar të LDK-së”, ka thënë ai.
Sa i përket propozimit të ndonjë emri për pozitën e presidentit nga ana e LDK-së, Abdixhiku ka thënë se rëndësishme është që fillimisht të mbahet takimi i planifikuar për të premten në mes të tij dhe ushtrueses së detyrës së presidentit në Kosovë, Vjosa Osmani dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti.