Abdixhiku: Masakra e Reçakut, një ndër krimet më të rënda të njerëzimit në fund të shekullit 20-të
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, në rastin e 25-vjetorit të Masakrës së Reçakut, ka bërë homazhe në fshatin Reçak të Shtimes.
Me këtë rast, ai ka thënë se ajo që kishte ndodhur para 25 vitesh në Reçak ishte “ndër krimet më të rëndat për njerëzimit në fund të shekullit njëzet”.
“Reçak. Një çerekshekulli pas. Mes familjarëve të fëmijëve, grave, të moshuarve e burrave, të vrarë e masakruar nga forcat policore, paramilitare e ushtarake të Serbisë; në mëngjesin e ftohtë të 15 janarit të vitit 1999. Në përkujtim të ditës që tronditi një botë të tërë. ‘Krim kundër njerëzimit’ do ta quante ambasadori Walker atëherë”.
“Ishte një ndër më të rënda të njerëzimit në fundshekullin e njëzetë. Sot, teksa po largohemi një çerek shekulli nga kjo ngjarje e errët e historisë njerëzore, ndjejmë gjithë afërsinë me dhimbjet e asaj dite të familjarëve e të mbijetuarve. Ndjejmë dhe nevojën që këtë ditë të dhimbshme të kujtesës sonë, ta mbajmë sot e gjithherë si rikujtim që s’shuhet të sakrificës së madhe të popullit tonë për liri e shtetësi. Mbi këtë sakrificë, përbashkimi ynë për Kosovën, atdheun tonë, bëhet domosdoshmëri”, ka shkruar Adixhiku në “Facebook”.