Abdixhiku: Mbyllja e ‘Klan Kosovës’, sulm i një pushteti autoritar ndaj fjalës së lirë
Edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar për rastin e “Klan Kosovës”.
Ai ka thënë se mbyllja e “Klan Kosovës” është sulm i një pushteti autoritar ndaj fjalës së lirë. “Është sulm i paranojës propagandistike ndaj vet demokracisë. Ky pushtet do krizë. Ky pushtet do frikë”, ka shkruar Abdixhiku në “Facebook”.
Ai ka thënë se në këtë betejë, të paprecedentë, nuk është vetëm një televizion.
“Janë të gjitha mediat, gazetarët e promovuesit e fjalës së lirë. Jemi të gjithë, individualisht e kolektivisht. Prandaj dhe në këtë përballje do të jemi bashkë të gjithë. Fjala e lirë do të triumfojë. Urdhrat e PolitByrosë nuk e mundin dot demokracinë kosovare. Shoqëria kosovare ka triumfuar dhe në përballje më të rënda. Do ta kapërcejë dhe këtë”, ka theksuar lideri i LDK-së.
Abdixhiku ka ftuar organet e drejtësisë, gjykatat e Republikës, të bëjnë detyrën e vet. “Të mbrojnë vet demokracinë. Urdhërdhënësit e PolitByrosë dhe ekzekutuesit e këtyre urdhrave brenda institucioneve të shtetit, do të mbahen përgjegjës para ligjit herët apo vonë. Pushtetet janë të përkohshme, shteti mbetet i përhershëm”, ka shkruar ai.