Abdixhiku: Më 9 shkurt marrin fund vonesat infrastrukturore, historia rrugore do të kompletohet brenda një mandati
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka inspektuar punimet që janë duke u zhvilluar në ndërtimin e rrugës në lagjen Velania.
Ai ka thënë se kjo rrugë do t’i eleminojë kolonat e gjata.
“Në infrastrukturë, ndonjëherë, del një projekt që duket aq i thjeshtë, dhe është i thjeshtë, por në thelb bën ndryshime të mëdha. I tillë është projekti në Velani. Secili që ka marrë rrugën nga udhëkryqi i Taslixhes për në Velani e të dal sipër në Breg të Diellit apo Mat, është dashur të kalojë nëpër njërën nga katër rrugicat e lagjes – mu pranë shtëpive. Kolona të gjata, pasiguri për banorë e vonesa për secilin tjetër që s’kishte alternativë tjetër. Krenari kishte një ide. Të krijoj një rrugë të re – ngjitur me ‘SOS Fshatin’ – për tu lidhur drejtë me Mat, Breg të Diellit e përfundimisht Rrugën B, e kështu për ta shmangur nevojën e kalimit nëpër rrugicat e shtëpive. Sa e thjeshtë! Sot, vizitova punimet që po zhvillohen aty. Dinamizëm i madh. Entuziazëm mes banorëve. Rrugë e re, dy kahore, me trotuare e ndriçim. Transformim rrënjësor jo vetëm për banorët e Velanisë, por për secilin qytetar që ka kaluar andej. Banorët më thanë se ende nuk po e besojnë se kjo po ndodhte. Për ta, kjo ishte një ide sa e bukur aq edhe e pamundur. U thash të rrinë të qetë”, ka shkruar Abdixhiku në “Facebook”.
Abdixhiku ka lavdëruar punën e drejtorit të Investimeve Kapitale dhe Menaxhimit të Kontratave në Komunën e Prishtinës, Krenar Xhaferi, të cilin e kishte këshilltar sa ishte ministër i Infrastrukturës.
“Krenarin e kisha këshilltar në ministri. Ishte i përpiktë, punëtor i pashoq, por mbi të gjitha ishte njeri i mbarë e i drejtë. Kur je i drejtë dhe puna të shkon mbarë. Atëherë kishim përfunduar rrethrrotullimin e Veternikut për 31 ditë. Krenarit i ka shkuar gjithnjë puna mbarë. Nuk kisha asnjë dyshim që nga dita që mori detyrën e drejtorit të infrastrukturës në kryeqytet”, ka shkruar ai.
Më tutje, Abdixhiku ka thënë se më 9 shkurt të vitit 2015 do të marrin fund vonesat infrastrukturore. “Historia rrugore e Kosovës do të kompletohet brenda një mandati të vetëm. Tjetër tempo, tjetër mendësi, tjetër angazhim”, ka shkruar kryetari i LDK-së.