Abdixhiku me bashkëpartiakë nderojnë Rugovën në 33-vjetorin e themelimit të LDK-së
Me rastin e 33-vjetorit të themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), kryetari i kësaj partie, Lumir Abdixhiku dhe zyrtarë të tjerë partiakë kanë bërë homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova.
Me këtë rast, Abdixhiku ka thënë se LDK-ja mbetet partia më e vjetër shqiptare në rajon dhe Rugovën e ka quajtur prijës të shqiptarëve, duke shtuar se kjo parti do të vazhdojë rrugën e nisur 33 vjet më parë.
“Sot së bashku me bashkëpunëtorët e Lidhjes Demokratike të Kosovës nisëm shënimin e 33-vjetorit të themelimit të partisë shqiptare më të vjetër, jo vetëm në Kosovë, por edhe në të gjithë rajonin, të Lidhjes Demokratike të Kosovës, formacionit të parë pavarësist e demokratik në mes shqiptarëve”.
“Nisëm këtë ditë për të nderuar presidentin historik të Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugovën, prijësin e shqiptarëve dhe në periudhën më të vështirë për popullin tonë njëkohësisht edhe themeluesin e Lidhjes Demokratike të Kosovës”.
“Shënojmë 33-vjetorin e vitit 1989 kur burrat e gratë më të mirë të vendit, në kohën më të vështirë të vendit u rreshtuan prapa Rugovës dhe ndërtuan kështu programin politik shqiptar të fund shekullit 20-të, lëvizjen për liri dhe pavarësi dhe demokraci”, ka thënë Abdixhiku.