Abdixhiku me video-mesazh: ‘Rruga e re’ ka filluar dhe nuk do të ndalet
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka folur për “rrugën e re”, për të cilën ka thënë se është “si rizgjim kombëtar është domosdoshmëri”.
“Polarizimi i shoqërisë sonë nuk ka të ndalur. Pushteti po na ndanë, po na përçanë, po na lë në të njëjtin vend. Përplasjet na vijnë çdo ditë, krizat po aq shpesh, e ne jemi shndërruar spektatorë të fatit tonë teksa njerëz me plot urrejtje a pa vullnet për punë vendosin për ne. ‘Rruga e re’ si rizgjim kombëtar është domosdoshmëri”.
“Gjatë javëve të fundit kam takuar gazetarë, ligjërues universitarë, bizneset më të mëdha në vend e organizata të shoqërisë civile. Do të vazhdojmë takimet me secilin grup shoqëror në vend. Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm. Kjo gjendje e sotme, nuk është fytyra jonë e vërtetë. Kjo gjendje e sotme nuk na përfaqëson”, ka shkruar Abdixhiku në “Facebook”, duke ia bashkangjitur edhe një videomesazh.
Më tutje, ai ka thënë se ka ftuar të gjithë që ta mbështesin “rrugën e re”, pavarësisht bindjeve dhe dallimeve.
“Rrugën që s’bën gabimet e së shkuarës e ndalon theqafjen e tashme. Rrugën që s’merret me të kaluarën, por thjeshtë na bën të ardhmen. ‘Rruga e re’ ka filluar dhe nuk do të ndalet. Rruga e re ka nevojë për mbështetjen tënde”, ka shkruar Abdixhiku.