Abdixhiku: Mirush Kabashi ka lënë gjurmë të pashlyeshme në skenën artistike
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka ngushëlluar familjen Kabashi, me rastin e ndarjes nga jeta të artistit Mirush Kabashi.
Abdixhiku ka theksuar se ikona e artit shqiptar me prejardhje nga Gjakova, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në skenën artistike.
“Një nga interpretuesit më të mëdhenj të poezisë dhe aktori i rreth 100 roleve në teatër dhe filma, Mirush Kabashi, na la sot. Ikona e artit shqiptar me prejardhje nga Gjakova, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në skenën artistike, duke kontribuar me pasion dhe talent të rrallë në artin shqiptar. Rolet e tij të larmishme, veçanërisht ai i Sokratit në ‘Apollogjia e fundit e Sokratit’, do të mbeten një trashëgimi e pasur për kulturën tone”, tha Abdixhiku.
“Me titujt ‘Nderi i Kombit’, ‘Artist i Merituar’ dhe ‘Mjeshtër i Madh i Punës’, Kabashi na nderoi dhe bëri krenar me kontributin e tij të jashtëzakonshëm. U prehsh në paqe ikonë e artit!”.
“Në emër të gjithë anëtarësisë së LDK-së, dhe në emrin tim personal ju shpreh ngushëllime familjes, miqve dhe të gjithë komunitetit artistik”, ka shkruar Abdixhiku në “Facebook”.