Abdixhiku nderon Enver Malokun: Kosova s’do të jetë e qetë pa zbardhjen e vrasjes së tij
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, së bashku me bashkëpunëtorë, me anëtarë të Kryesisë së kësaj partie, bashkë me familjen Maloku, kanë nderuar dhe kujtuar veprën e Enver Malokut, i vrarë më 11 janar të vitit 1999.
Abdixhiku ka thënë se Maloku me themelimin dhe udhëheqjen e Qendrës për Informim të Kosovës (QIK) hapi një dritare informimi duke bërë të vërtetën si burim informacioni, por ka shtuar se nuk do të jenë të qetë deri në zbardhjen e vrasjes së tij.
“Si pararendës i gazetarisë moderne të Republikës së Kosovës, në të gjithë terrin informativ që Kosova po përjetonte, Enver Maloku, si themelues e prijës i Qendrës për Informim të Kosovës hapi një dritare informimi që bëri të vërtetën burim informacioni gjithandej nëpër botë. Ne e kujtojmë atë, veprën e tij. Gjithsesi në këtë ditë, në këtë 23-vjetor të trishtë për LDK-në, për familjen e tij, nuk do të mbesim të qetë as ne, as familja, as një qytetar i Kosovës derisa të zbardhet plotësisht e vërteta për vrasjen tinëzare të tij”, ka thënë Abdixhiku.
Kryetari i LDK-së ka thënë se vrasja e Enver Malokut, si një figurë e lëvizjes paqësore të Kosovës, ishte tronditje e madhe për çdo familje shqiptare të Kosovës.
“Ka qenë tronditje për çdo familje shqiptare në Kosovë. Ka qenë tronditje për çdo familje në atë kohë të vështirë, viti 1999 ka qenë po ashtu vit i vështirë për çdo njeri në Prishtinë, por vrasja e Enver Malokut, një figure të lëvizjes paqësore të Kosovës, ka qenë vrasje e ëndrrave tona për liri por që për fatin tonë të mirë, për shkak të veprave të tij dhe njerëzve si ai, këtë liri e gëzojmë sot, unë, familja ime, fëmijët e mi dhe ju gjeneratat e ardhshme, prandaj e kujtojmë e nderojmë përherë”, ka thënë Abdixhiku.
Enver Maloku është vrarë në hyrje të banesës së tij para 23 vitesh, pasi paraprakisht me 1998 i kishte shpëtuar një atentati tjetër.
Maloku është i dekoruar me urdhrin “Medalja e Artë e Pavarësisë” si dhe urdhrin “Hero i Kosovës”, nga ish-presidentët Ibrahim Rugova, respektivisht Atifete Jahjaga. Ndërsa ish-presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani e kishte dekoruar Enver Malokun me medaljen “Urdhri i Artë i Shqiponjës”.