Abdixhiku në Podujevë: Në vend të zgjidhjeve, qeveria Kurti po prodhon krizë
Lidhja Demokratike e Kosovës sot nga Podujeva ka nisur një fushatë në terren dhe një sërë ngjarjesh e takimesh për të biseduar me strukturat e partisë dhe qytetarët.
Lumir Abdixhiku ka paralajmëruar aktivitetin “LDK ju dëgjon” në paraqitjet e tij të kaluara mediatike duke thënë se LDK-ja duhet të jetë shumë më afër qytetarëve, të dëgjojë problemet e nevojat e tyre, dhe të krijojë zgjidhje që do të zbatohen në programin e ri partiak të LDK-së.
Ai kritikoi qeverinë duke thënë se është krejtësisht e paaftë, dhe nuk po mundet që të përballet dhe t’iu përgjigjet problemeve të qytetarëve, ndërkohë që vendi është duke stagnuar në çdo fushë, ekonomi, arsim, shëndetësi, energji apo investime.
Në vend që të japë zgjidhje, tha Abdixhiku, Qeveria Kurti po prodhon krizë, në vend të dialogut dhe efikasitetit po shohim kërcënime dhe mungesë të plotë të realizimit të projekteve.
“Kjo qeveri tashmë ka dështuar. Në vetëm 18 muaj ata u treguan të paaftë për të menaxhuar vendin, e aq më pak për të përballuar krizën e rëndë. Kjo është një Qeveri që ka veç fjalë dhe asnjë veprim, gjersa qytetarët dhe bizenset janë duke vuajtur. Mbi të gjitha shohim arrogancë, sjellje jodemokratike dhe mosrespektim të debatit publik. Kurti po ikën nga problemet dhe largohet nga vendi në mes të një krize sepse nuk mund t’a zgjidhë atë”, ka deklaruar Abdixhiku.