![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2023/07/abdixhiku-1-1.jpg)
Abdixhiku: Në tetor, LDK-ja e prezanton programin politik të detajuar në një konventë të madhe të quajtur “Rruga e Re”
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka folur për planin e “Rrugës së Re”, një program politik të detajuar që sipas tij, ka për qëllim të adresojë sfidat dhe të krijojë vizionin e ardhshëm të Kosovës në fushat e shëndetësisë, arsimit, ekonomisë, dhe politikës ndërkombëtare.
“Politika e sotme është e përqendruar në të kaluarën dhe se nuk po flitet mjaft për të ardhmen e vendit”, kështu është shprehur kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku në Radar të Radio Dukagjinit.
Në këtë kontekst, Abdixhiku ka përmendur se LDK-ja ka planifikuar të prezantojë një program politik të detajuar në një konventë të madhe të quajtur “Rruga e Re” në muajin tetor.
Ai tha se Kosova ka ende probleme bazike me arsimin, shëndetësinë ekonominë e me shumë sektorë të tjerë.
Për “Rrugën e Re,” Abdixhiku ka thënë se ata do të prezantojnë idetë e tyre për shëndetësi, arsim, ekonomi dhe politikë të jashtme.
“Në tetor një konventë e madhe e rrugës së re, një program politik i detajuar, pra krejt përgjigjet do t’i kemi , për shëndetësi, për arsim, për ekonomi, për çdo temë e politik të jashtme. Pra në muajin tetor do të prezantohet në një konventë shumë të madhe, pra në atë konventë do t’i prezantojmë idetë tona. Duke i treguar projektet tona, rrugën e tretë e LDK-së, ky është ekipi që do ta bëjë këtë rrugë. Më pas njerëzit e Kosovës vendosin a do ta zgjedhin këtë rrugë”, ka thënë Abdixhiku.