Abdixhiku: Në vend të dorëheqjes, ministrja e Drejtësisë sulmon Gjykatën Kushtetuese
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar në lidhje me sulmet që i janë bërë Gjykatës Kushtetuese nga ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu për shkak të Ligjit të Këshillit Prokurorial, i cili është shpallur antikushtetues.
Ai ka thënë se një ministri dhe një ministre që cenon rendin kushtetues nuk mund të sjellë politika të drejtësisë.
“Nga logjika e ;vajit në tepsi’, tek sulmet ndaj rendit juridik. Një ministri e një ministre që cenon rendin kushtetues të Republikës, s’mund të sjellë politika të drejtësisë. Ky është interpretimi i gjykatës më të lartë në vend – cenim i rendit kushtetues dhe rendit juridik. Një ministre që në vend skuqjes e dorëheqjes sulmon Gjykatën Kushtetuese s’mund të jetë as bartëse e Ministrisë së Drejtësisë. Çfarë shembulli drejtësie e barazie për qytetarët punëtorë e të drejtë?! Pse duhet të tjerët të respektojnë Gjykatat kur ato s’respektohen nga pushtetarët? Këta kaq dinë, por megjithatë duan më shumë. Prandaj përveçse të padijshëm janë dhe të rrezikshëm. Dorëheqja, si akt moral, është domosdoshmëri, e rendi kushtetues është i shenjtë – diçka që popullistët s’arrijnë ta kuptojnë asnjëherë. Kosova meriton më mirë. Kosova mundet më shumë!”, ka shkruar Abdixhiku.