Abdixhiku: Një ministër i Financave si Murati duhet t’i marrë letrat e të shkojë në shtëpi
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (PDK), Lumir Abdixhiku, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti dhe ministrin e Financave, Hekuran Murati, për qasjen e tyre ndaj inflacionit, duke thënë se nuk ia kanë haberin kësaj çështje.
Këto kritika ai i bërë nga foltorja e Kuvendit në seancën ku po diskutohet Projektligji për masat e përkohshme të produkteve themelore.
“Ka kohë që provojë të kuptojë se si i marrin vendimet këta. Dhe sot i pashë kështu dy raste nga ulësja. Doli e para ministrja e Ekonomisë dhe tha se çmimi i prodhimit të peletit është 188 euro e po shitet me fitim 500 euro, 700 euro në treg e kryeministri e rrotullonte kokën me mosbesim. Doli ministri i Financave thotë një produkt që vjen në kufi me 1 euro e 20 centë e shitet me 2 euro e 20 centë i bën 1 euro fitim – dhe ky (kryeministri) prapë e rrotullonte kokën. Çfarë po ndodhka këtu? Pra, nuk e kupton ministri i Financave, e aq më pak kryeministri i tij, që në momentin e parë që ai produkt futet në doganë qysh në start i merr 20 centë prej këtyre – TVSh. Dhe më pas ka kosto të operimit, të punëtorëve, të punës, qirasë, shpërndarjes. Një ministër i Financave si ky duhet m’i marrë letrat me shkuar në shtëpi. Kjo është tragjedia e këtij vendi. Një shtëpi e paditur në qeveri”, ka deklaruar Abdixhiku.
Abdxhiku ka thënë se reagimi i qeverisë ndaj inflacionit është shumë i vonshëm dhe se ministrja e Ekonomisë nuk e di as sa është inflacioni në Kosovë.
“Po bëhen tetë muaj që çmimet kanë filluar të rriten dhe këta s’e kuptojnë as sa e kanë inflacionin. Kryeministri, zëvendëskryeministri , ministri i Financave dhe ajo zonja (ministrja Hajdari) që merrte shënim dhe fliste kot, thanë se inflacioni është 12 për qind. E krahasojnë muaj për muaj. 19.3 për qind është inflacioni prej se ke ardhur ti”, ka thënë Abdixhiku, duke shtuar se ky projektligj nëse shkon në Kushtetuese do të rrezohet.