Abdixhiku: Pagat e menaxhmentit të Trustit do të ulen për 25 %
Deputeti i Lidhjes Demrokatike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, i cili është kryetar Komisionit për Buxhet dhe Financa, ka treguar se ka nënshkruar sot rekomandimin e këtij Komisioni parlamentar që bën zvogëlimin e pagave të menaxhmentit të Trustit për 25%.
Kësisoj, sipas tij, pagat e këtij institucioni i nivelizon me ato të Bankës Qendrore. “I falënderoj gjithë anëtarët e Komisionit që ideuan dhe votuan këtë rekomandim. Konsideroj se paga publike prej 5,000 eurove është disproporcionale me realitetin ekonomik e social në Kosovë. Ajo para së gjithash paraqet mosrespekt ndaj takspaguesve kosovarë”, ka thënë Abdixhiku, teksa ka shtuar se me kaq puna e këtij Komisioni nuk mjafton. “Prandaj e ftojmë qeverinë që të sjellë Ligjin mbi Paga me qëllim të nivelizimit të tyre në vend – për të gjithë pa përjashtim”, ka shkruar Abdixhiku në profilin e vet në “Facebook”.