Abdixhiku paralajmëron takim me Osmanin: LDK-ja nuk do të qëndrojë duarkryq
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, pas takimit me opinionistët dhe gazetarët ka vlerësuar kontributin e tyre për daljen nga kriza në të cilën gjendet vendi.
Ai u ka thënë gazetarëve se gjendja në vend është e zymtë dhe e rëndë, prandaj ai ka bërë me dije se LDK-ja nuk mund të qëndrojë duarkryq.
Sipas tij, vendi nuk mund të jetë peng i një ideologjie, por ka njerëz që i dalin zot. Abdixhiku ka thënë se do të ketë takim edhe me presidenten Vjosa Osmani.
“Gjendja është e rëndë e zymtë. LDK-ja nuk mund të qëndrojë duarkryq. Kosova nuk mund të jetë peng e një ideologjie, por ka njerëz që i dalin zot. Kemi prezantuar disa pika, në fund do ta bëjmë publike. Do të vazhdojmë edhe me të tjerët përfshirë edhe me presidenten”, ka thënë Abdixhiku.
I pyetur rreth idesë për “Ballkanin e hapur”, ai ka thënë se është mirë që kjo iniciativë tashmë ka marrë fund.
“LDK-ja ka pasur qëndrim të qartë sa i përket ‘Ballkanit të hapur’, ka qenë projekt politik dhe duplifikim i Procesit të Berlinit”, ka thënë ai.
Ndërsa sa i përket vizitës që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka paralajmëruar se do ta bëjë në Prishtinë, i pari i LDK-së, ka thënë se natyrisht që Rama dhe çdo kryeministër i Shqipërisë është i mirëseardhur në Kosovë.