Abdixhiku paralajmëron uljen e pagave për menaxherët e Trustit: 6 mijë euro në muaj është çmenduri
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së,Lumir Abdixhiku, ka paralajmëruar se do të rimodelohen ‘megapagat’ e menaxherëve të Trustit Pensional të Kosovës.
Abdixhiku i ka quajtur paga të çmendura, pagesat për drejtorin e Trustit dhe ka shtuar se në Komisionin për Buxhet dhe Financa kanë vendosur që të rimodelojmë kompensimin, duke sjell kompensimin e Trustit në nivel të Bankës Qendrore.
Shkrimi i Abdixhiku në “Facebook”:
Tash, Sa herë që flitet për Trustin Pensional të Kosovës, flitet – me plot të drejtë – edhe për pagat marramendëse për menaxhmentin e këtij institucioni; hiç më pak se 6 mijë euro në muaj.
6 mijë euro është paga më e lartë publike në vend. Është e padrejtë, e pakuptimtë, e në fund të ditës edhe e trishtë që një Kosovë e varfër të paguajë kaq shumë. Një shpërputhje me realitetin kosovar si kjo, s’do të duhej të kishte vend asnjëherë. Nuk ka arsyetim. Por është toleruar si e tillë tash e 12 vjet.
Nuk e kam kuptuar asnjëherë pse një tolerim i tillë ka ngjarë. Deri sa kam marrë nën udhëheqje Komisionin për Buxhet dhe Financa. Aty e kam kuptuar se ndalja e kësaj çmendie është në dorë tonën. Fare e lehtë.
Rrjedhimisht, bashkë me anëtarët e tjerë të Komisionit – unanimisht – kemi vendosur të rimodelojmë kompenzimin; duke sjellur kompenzimin e Trustit në nivel të Bankës Qendrore – e asnjë euro më shumë. Zvogëlimi i megapagave mund të mos prodhojë shumë kursime ne fotografinë makro, porse jep një model të përgjegjshëm të menaxhimit të parasë publike, për çka kemi nevojë shumë.