Abdixhiku, pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës: Anëtarësimi i Kosovës në NATO, domosdoshmëri
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas fillimit të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.
Ai ka thënë se Kosova e njeh mirë rëndesën e terrorit dhe pushtimit.
“Kosova njeh mirë rëndesën e terrorit e pushtimit. Njeh mirë dhe mohimin e lirisë e luftën e agresorit. Prandaj rreshtimi ynë shtetëror, tashmë tradicional me aleatët perëndimorë, në dënim të agresionit rus e në mbështetje të popullit ukrainas, është i natyrshëm, i drejtë dhe i paalternativë. Mbi të gjitha është shenjë e qartë e vlerave demokratike e euroatlantike, që Republika e Kosovës i kultivon me bindje”, ka shkruar Abdixhiku në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Abdixhikut:
Kosova njeh mirë rëndesën e terrorit e pushtimit. Njeh mirë dhe mohimin e lirisë e luftën e agresorit.
Prandaj rreshtimi ynë shtetëror, tashmë tradicional me aleatët perëndimorë, në dënim të agresionit rus e në mbështetje të popullit ukrainas, është i natyrshëm, i drejtë dhe i paalternativë. Mbi të gjitha është shenjë e qartë e vlerave demokratike e euroatlantike, që Republika e Kosovës i kultivon me bindje.
Ngjarjet e tilla nuk i ndikojmë, por ato na ndikojnë. Ky moment i ri, i rikujtimit të orëve të rënda të luftës në Evropë, duhet të jetë dritare reflektimi për komunitetin ndërkombëtar – për forcim aleancash mes popujve që ndajnë vlera të përbashkëta e synime të qarta përpara. Prandaj, anëtarësimi i Kosovës në NATO – sa më parë – është domosdoshmëri e kohës sonë.