![](https://www.epokaere.com/wp-content/uploads/2025/02/lumir-1.jpg)
Abdixhiku: Pas numërimit përfundimtar, LDK-ja do të ofrojë qëndrimet e veta politike
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, edhe një herë ka falënderuar votuesit që votuan këtë subjekt politik.
Ai ka thënë se pas numërimit përfundimtar të votave, LDK-ja do të ofrojë qëndrimet e veta politike.
“Ju faleminderit që mbështetët Lidhjen tonë. Të gjithë qytetarëve të Kosovës, ju faleminderit që nderuat demokracinë e atdheut tonë. Të gjithë veprimtarëve tanë ju faleminderit që punuat me kaq vullnet e me kaq emocion në këto zgjedhje. Asgjë mangut! Punuam mbarë. Ecëm drejtë. Ecëm si qytetarë me ëndrra të mëdha për këtë Republikë. Shpresoj të ju kem prirë mbarë; shpresoj të ju kem përfaqësuar siç keni merituar gjithnjë! E shoh me plot krenari rrugëtimin e bërë deri më tani. Nuk dimë ndryshe, nuk duam ndryshe, nuk duhet ndryshe”, ka shkruar Abdixhiku në “Facebook”.
Ai ka thënë se rritja e LDK-së i jep mundësi e qetësi organizimit më të mirë të brendshëm partiak dhe për këtë, thotë se do të qëndrojë gjithmonë krenar. “Kjo rritje është e pamjaftueshme për ndryshimin e Republikës në këtë fazë – dhe për këtë ndjejë keqardhje. Pavarësisht të gjithave, do të ketë dritë! Në këtë fazë, vazhdojmë me numërimin e votave të mbetura; sidomos ato në mërgatë. Pas numërimit përfundimtar, LDK-ja do të ofrojë qëndrimet e veta politike”, ka shkruar Abdixhiku.