Abdixhiku pas takimit me Kurtin: Pa ShBA-në as që duhet të ketë dialog me Serbinë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se pa pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk duhet të ketë dialog me Serbinë.
Këtë deklaratë Abdixhiku e ka bërë nga oborri i Qeverisë së Kosovës, pas takimit që ka zhvilluar të mërkurën me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
“Pjesëmarrja e ShBA-së është e pakontestueshme. Pa pjesëmarrje të ShBA-në as që duhet të ketë dialog. Kosova vlerëson rolin e BE-së, por domosdoshmërish e kërkon përfshirjen e ShBA-së në dialog. Kjo është e padiskutueshme”, ka thënë Abdixhiku.
Abdixhiku ka thënë se ka kërkuar nga kryeministri Kurti që të dijë qëndrimin politik të qeverisë për procesin e dialogut.
“Kosova duhet të dijë që cili është qëndrimi politik i Qeverisë së Kosovës në dialog dhe po e presim se cili është ky pozicion, dhe bëmë një ofertë, ku i dorëzuam kryeministrit një dokument mbi pozicionin politik, që në mendojmë që Qeveria e Kosovës duhet ta ketë. Ky dokument përmban parime që dialogu duhet t’i mbrojë e që janë diskutimi mbi bazën e GjND-së, mbrojtja e integritetit territorial, ruajtja e karakterit unitar të Kosovës dhe rendit kushtetues”, ka thënë Abdixhiku.
Sa i përket çështjes së reciprocitetit me Serbinë, Abdixhiku ka thënë se kryeministri Kurti ka ndryshuar pozicion në dialog për këtë proces dhe kauza të tjera që i ka pasur para se të bëhej kryeministër.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti këtë javë nisi takimet me krerët e opozitës. Të martën ai zhvilloi një takim me udhëheqësin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajn. Lideri i AAK-së, gjatë takimit po ashtu ka kërkuar që në dialogun me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, ShBA-ja të ketë një përfaqësues.
Ndërsa ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike, Enver Hoxhaj, ka refuzuar thirrjen për takim.