Abdixhiku pas takimit me Sarrazin: Nga 9 shkurti, do t’i japim rëndësi Procesit të Berlinit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se 9 shkurti do t’i kushtojmë rëndësi Procesit të Berlinit, pas takimit mes emisarin gjerman për Ballkanin Perëndimor, z. Manuel Sarrazin.
Sarrazin zhvilloi një takim me Abdixhikun në selinë qendrore të Lidhjes Demokratike të Kosovës ku u diskutua për prioritetet e LDK-së për zgjedhjet dhe qeverisjen e re.
“Në prag të 10 vjetorit të nisjes së Procesit të Berlinit, diskutuam për rëndësinë e participimit të Kosovës aty; dhe mundësitë e mëdha ekonomike që rrjedhin për Republikën e Kosovës. Si LDK, kemi mbështetur dhe mbështesim në plotni këtë proces; siç dhe presim nga Qeveria në largim përmbushjen e obligimeve finale në këtë drejtim duke mos dëmtuar pozicionin tonë aty. Nga 9 shkurti, do t’i japim prioritet jo vetëm kësaj nisme strategjike, ku Kosova ka vend e rol të barabartë me shtetet e tjera të rajonit, por dhe secilit proces tjetër integrues e konsolidues që ka ngecur për 4 vite rresht – fillimisht duke rikuperuar pozicionin tonë të rënduar e më pas duke avancuar drejt qëllimeve tona historike. Në qeverisjen time, konsolidimi shtetar dhe interesat e Republikës nuk kompromitohen me vendime populliste!”, thuhet në postimin e Abdixhikut në “Facebook”.