Afera e rezervave, Abdixhiku i ashpër me Kurtin: Po mbron kriminelët në pranga e krimin rreth tij

20 gusht 2023 | 21:46

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abidixhiku, përmes një video në “Facebook” ka reaguar rreth skandalit me rezervat shtetërore, ku po akuzohen njerëz të afërt të pushtetit, si dhe ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Abidixhiku ka bërë thirrje për ndryshim derisa ka akuzuar pushtetin për praktika të korruptuara të dhënies së tenderave për miqtë ndaj krerët e pushtetit.

“Një politikan që i jep miliona euro të buxhetit mikut të tij. Jo me garë, jo me procedurë, jo me ligj – por me tender veçmas për të. Një mik politikani që merr miliona nga shteti me procedurë të qëndisur enkas për të, dhe vendosë t’i marrë – siç na thotë politikani vet – veç’ 3%; përkatësisht 52 ton grurë, 200 mijë litra vaj e 120 mijë kilogram sheqer. Një hajni që del sheshazi në publik, dhe një Qeveri që në njërën anë atakon mediat sepse zbuluan një skandal të tillë, e në anën tjetër prokurorinë sepse arreston keqbërësit e tillë”, ka deklaruar Abdixhiku.

Postimi i plotë i tij:

K

Mendojeni për pak.
Çfarë po provojnë të arsyetojnë?

– Një Kryeministër që i jep miliona euro të buxhetit mikut të tij. Jo me garë, jo me procedurë, jo me ligj – por me tender veçmas për të.

– Një mik Kryeministri që merr miliona nga shteti me procedurë të qëndisur enkas për të, vendosë t’i marrë – siç na thotë Kryeministri vet – veç’ 3%; përkatësisht 52 ton grurë, 200 mijë litra vaj e 120 mijë kilogram sheqer.

– Një hajni që del sheshazi në publik, dhe një Qeveri që në njërën anë atakon mediat sepse zbuluan një skandal të tillë, e në anën tjetër prokurorinë sepse arreston keqbërësit e tillë.

Tenderave për miq i kemi thënë gjithnjë korrupsion!
Marrjes së përqindjeve gjithmonë hajni!
Frikësimit të gjyqtarëve kapje e zaptim!

Asgjë mangut sot.

Mbrojtja për Ridin që i merr ‘vetëm’ 3%; për Martinin që i tërheqë 1.4 milion kesh në Prishtinë, apo për Nagipin që jep tender 3.5 milionësh një biznesi pa qarkullim – është vazhdimësi e hajnisë që Kosovës nuk i është ndarë tash e shumë kohë. Po bëhet sepse arroganca e numrave u ka dhënë përshtypjen se janë mbi shtet dhe mund të bëjnë çfarë të dojnë.

Tani a është ky ndryshimi i njëmendtë të cilin e kërkonim ndër vite? Të dëgjojmë krahasime se këta apo të tjerët para tyre janë hajna më të mëdhenj? Pas shumë përpjekjeve për evropianizim, a duhet të mjaftohemi me një Qeveri e Kryeministër që mbronë kriminelët në pranga e krimin rreth tij, e shpërfaqet me plot mllef ndaj luftuesve të tij?

Kosova mundet më mirë, Kosova meriton më shumë. ‘Rruga e re’ po vjen, si domosdoshmëri e vet kohës, dhe s’ka asgjë që e ndalë atë tashmë. #rrugaere

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në një video-adresim të fundit, kryetari i Lidhjes Demokratike të…