Abdixhiku për Betejën e Koshares: Një prej betejave më të lavdishme të UÇK-së
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, me bashkëpunëtorë, sot, bënë homazhe në Kompleksin Memorial në Koshare, me rastin e 24-vjetorit të Betejës së Koshares.
Kreu i LDK-së, derisa Betejën e Koshares e quajti një prej betejave më të lavdishme të historisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ai tha se nderojnë çdo ushtar të rënë të UÇK-së.
“Sot me bashkëpunëtorë të Lidhjes Demokratike të Kosovës nderojmë gjithë heronjtë e rënë 24 vite më parë me 9 prill, datën e njërës prej betejave më të lavdishme të historisë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të Koshares. Në betejën e thyerjes së kufirit shqiptaro shqiptar dhe nisjes së triumfit përfundimtarë për lirinë e popullit të Kosovës. Nderojmë gjithë të rënët, Agim Ramadanin, Agim Çekaj dhe çdo ushtarë tjetër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha ai.
Ndërsa, deputeti Armend Zemaj u shpreh se nuk është asnjëherë mjaftueshëm vetëm përkujtimi.
Ai potencoi se institucionet e kanë për obligim ta zhvillojnë Kosovën ashtu siç kanë dashur dëshmorët.
“Është një ditë krenarie, një ndër ngjarjet më të rëndësishme të luftës për liri dhe pavarësi, një betejë mirë e organizuar nga profesionistë ushtarak të cilët në momentet vendimtare i dolën zot atdheut dhe luftuan për çlirimin e Kosovës, por lavdia më e madhe i’u takon dëshmorëve të cilët sot i nderojmë me këtë përvjetor… Nuk është asnjëherë mjaftueshëm vetëm përkujtimi, mbi të gjitha është nderimi. Institucionet e kanë obligim që të bëjnë për vendin dhe të krijojnë një Kosovë ashtu siç e kanë dashur ata, të lirë, të zhvilluar, ku bijtë dhe të bijat e tyre, trashëgimtarë të jetojnë në një jetë të mirë, me punë dhe ta duan vendin e tyre”, tha ai.
Beteja e Koshares, më 9 prill 1999, në kuadër të operacionit “Shigjeta”, ishte njëra ndër më të përgjakshmet dhe më heroiket e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Thyerja e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë kishte shënuar jo vetëm një fitore morale për UÇK-në, por ajo i kishte hapur rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës.