Abdixhiku për familjen Jashari: Ata zgjodhën lirinë, prandaj dhe morën përjetësinë

05 mars 2022 | 16:39

Në 24 vjetorin e Epopesë së UÇK-së, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar sakrificën e familjes Jashari.

“Datat 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 shënojnë ngjarjen më kulminante në luftën e Kosovës për liri e çlirim; sakrificën sublime të Familjes Jashari e me këtë dhe fillimin e fundit të përpjekjes sonë shekullore për liri. Flijimi i familjes Jashari në altarin e lirisë, ishte sakrificë ultime e gdhendur në mendjen e mësuesit Shaban Jasharit, të Komandantit legjendar Adem Jashari e të Hamëz Jasharit. Ata zgjodhën lirinë, prandaj dhe morrën përjetësinë”.

Abdixhiku ka thënë se rënia heroike e familjes Jashari ishte kushtrim për një popull të tërë.

“Ishte këmbanë për luftën dhe përpjekjen tonë kolektive drejt lirisë, e për aleancat e ardhshme që do të rreshtoheshin me idealin e tyre e tonin pa dallim. Sot, në këtë 24 vjetor të Epopesë së UÇK-së, ne i kujtojmë me nder e krenari, fëmijët, gratë dhe burrat më të mirë të kombit që sakrifikuan jetën për lirinë dhe shtetin që e gëzojmë sot”.

I pari i LDK-së ka pohuar se amaneti i familjes Jashari dhe të rënëve për liri nderohet duke punuar për të forcuar shtetin, njofton Klankosova.tv.

“Është obligim i secilit nga ne që të punojmë fort çdo ditë e më shumë në forcimin dhe avancimin e shtetit tonë, sepse vetëm kështu i nderojmë dhe e dërgojmë në vend amanetin e të rënëve të Familjes Jashari dhe gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës. Lavdi e përjetshme për Familjen Jashari!”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Jo shumë larg Nikolaevit ushtarët ukrainas shkatërruan pak çaste më…