Abdixhiku përkujton Afrim Bunjakun: Hero që sakrifikoi jetën për Kosovën

24 shtator 2024 | 12:58

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar Afrim Bunjakun në njëvjetorin e rënies në mbrojtjen e sovranitetit në veri të vendit.

Abdixhiku ka thënë se Bunjaku është hero që ka sakrifikuar jetën për shtetin e Kosovës.

“Sot, më 24 shtator është bërë viti që nga rënia në krye të detyrës, në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit të Kosovës, e policit-hero, Afrim Bunjaku. Ai u vra nga pjesëtarë të një grupi terrorist të sponzorizuar dhe komanduar nga Serbia, gjersa po ushtronte profesionin dhe punën fisnike prej polici në mbrojtjen e rendit dhe mirëqenies për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës. Afrim Bunjaku është Heroi i cili sakrifikoi jetën e tij për shtetin e Kosovës. Shembulli i tij është model dhe motiv për brezat se si mbrohet e si duhet shërbyer atdheut edhe në kohë paqeje”.

“Vrasja e heroit Bunjaku ishte goditje e rëndë jo vetëm për familjen dhe kolegët policë, por edhe për shtetin e Kosovës. Prandaj dënimi i terroristëve si dhe mbajtja përgjegjës e Serbisë si organizator i agresionit ndaj Republikës janë detyrime tona si shtet e si shoqëri. Afrim Bunjaku mbetet përherë në kujtesën shtetërore si personalitet që dha frymën e fundit për territorin e Republikës së Kosovës. I përjetshëm kujtimi e nderimi për Afrim Bunjakun. Lavdi e përjetshme!”, ka thënë Abdixhiku.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, ka ngulur këmbë se vendi…