Abdixhiku përkujton heroin Agim Ramadani në 25- vjetorin e rënies
Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar heroin Agim Ramadani në 25- vjetorin e rënies së tij.
“Në këtë përvjetor ne nderojmë përjetësisht figurën shumëdimensionale, unike e të papërsëritshme të Agim Ramadanit; nderojmë dhe kontributin e gjurmët e tij të pashlyeshme në rrugëtimin për liri e shtet-ndërtim”, ka thënë Abdixhiku në “Facebook”.
Postimi i plotë i Abdixhikut:
Në historinë tonë të lavdishme; të papërsëritshme, janë disa ditë që aq sa na pikëllojnë, na bëjnë edhe më shumë krenar. Ditë të tilla janë këto të prillit, kur në majet e larta nën udhëheqjen e strategëve të luftës për liri, Agim Ramadani “Katana” dhe Sali Çekaj, u thye kufiri shqiptaro-shqiptar me Betejën e Koshares, atë më të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në agimin e 11 prillit, në vend se t’i gëzoheshim rrugëtimit drejt çlirimit të Kosovës, lufta na e mori strategun më të mirë të kohës, luftëtarin e Heroin e Kosovës, Agim Ramadani, atje skaj bjeshkëve të ashpra ku edhe pushon përjetësisht trupi i tij.
Kumti i trishtueshëm që në vijat e para të frontit në Koshare, ra Agim Ramadani; nuk i ligështoi shokët e luftës. Ata tashmë kishin motivin për të vazhduar deri në çlirim. Kosova e pavarur, ishte ëndrra e të 114 dëshmorëve të Brigadës 138 të udhëhequr nga Agim Ramadani që tashmë po shkruanin me sakrificën e tyre njërën prej rrëfimeve më të madhërishme të luftës për liri e pavarësi.
Sot, kujtojmë piktorin dhe shkrimtarin Agim Ramadani, që përmes vargjeve i dha jetë, luftës e lirisë. Në kohët më të vështira, kur lëshoj zë kushtrimi i atdheut, Agimi, si gjithmonë ishte në krye të detyrës, ndërsa vetë ai i paepur për liri e çlirim nuk ndihej i përmbushur pa sakrificën më sublime edhe me vet jetën e tij.
Në këtë përvjetor ne nderojmë përjetësisht figurën shumëdimensionale, unike e të papërsëritshme të Agim Ramadanit; nderojmë dhe kontributin e gjurmët e tij të pashlyeshme në rrugëtimin për liri e shtet-ndërtim.
Lavdi e përjetshme, Heroit Agim Ramadani dhe të gjithë dëshmorëve të rënë për liri!