
Abdixhiku përkujton masakrën e Krushës së Madhe: Ky krim tronditi botën, liria që gëzojmë sot ka një çmim të lartë
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar të rënët në masakrën e Krushës së Madhe, në 26-vjetorin e saj.
Ai ka thënë se 25 marsi i vitit 1999 mbetet një nga ditët më tragjike dhe më të dhimbshme në historinë e Kosovës.
“26 vite më parë, ndodhi masakra ndër më të mëdhatë në Kosovë, ku forcat e regjimit të Millosheviçit vranë e masakruan 243 burra, gra, fëmijë e pleq të pafajshëm, duke lënë kështu plagë të pashlyeshme në historinë e Kosovës dhe ndërgjegjen tonë kolektive”, citohet të këtë thënë Abdixhiku.
Më tutje, Abdixhiku ka theksuar se ky krim tronditi botën dhe mobilizoi diplomacinë ndërkombëtare për të ndalur spastrimin etnik që po ndodhte në Kosovë.
“Por për familjet e atyre që u masakruan, dhimbja nuk është ndalur kurrë. Shumë prej tyre ende presin të mësojnë për fatin e më të dashurve të tyre të zhdukur, duke kërkuar drejtësi dhe të vërtetën që nuk duhet të mbetet e heshtur. Liria që gëzojmë sot ka një çmim të lartë – atë të sakrificës së atyre që nuk jetuan për ta parë. Prandaj, përkujtojmë me nderim dhe mirënjohje të thellë dhe u përulemi përjetësisht atyre që ranë për lirinë e Kosovës, si dhe angazhohemi që e vërteta dhe drejtësia të mos harrohen asnjëherë. Lavdi të gjithë të rënëve për liri!”, citohet të këtë thënë Abdixhiku, njofton LDK-ja.