Abdixhiku përkujton Pajazitin, Zejnullahun dhe Hoxhën: Mirënjohës ndaj veprës së tyre!
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku në 27-vjetorin e rënies ka përkujtuar Zahir Pajazitin, Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën.
Ai ka thënë se vrasja e tyre ka qenë goditje e rëndë për luftën çlirimtare.
“27 vjet më parë, okupatori kishte organizuar një pritë ndaj trimave të lirisë e pavarësisë, me ç’rast edhe ra heroikisht njëri ndër themeluesit dhe komandantët më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Zahir Pajaziti, bashkë me heronjtë Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha. Ishte një goditje e rënd për luftën tonë të drejtë. Ashtu edhe u përjetua. Mirëpo, pushka e lirisë dhe pavarësisë jo vetëm që nuk u ndal, por u bë edhe më e fortë. Edhe më qëndrueshme, e më e vendosur, më e motivuar. Dhe e tillë mbeti deri në çlirimin e atdheut. Deri në përmbushjen e amanetit të të rënëve dhe të parëve tanë. Deri në arritjen e lirisë”, ka shkruar Abdixhiku në “Facebook”.
Më tutje, Abdixhiku ka thënë se është mirënjohës përherë ndaj veprës së tyre, pasi sipas tij ajo është vetë liria jonë.