Abdixhiku përmbylli tubimin e madh elektoral me mesazh: Le t’i japim vetes një fitore politike si asnjëherë më parë
Kandidati për Kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, përmbylli fushatën zgjedhore me tubimin më të madh elektoral në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Me një pjesëmarrje të jashtëzakonshme të qytetarëve nga e gjithë Kosova, Abdixhiku tha se ndryshimi tashmë ka nisur dhe se fitorja është e pashmangshme.
“Ndryshimi dhe fitorja tashmë është mes nesh! Ju jeni ndryshimi. Ju bëni fitoren! Dhe ju them, zotohem, se çfarë kemi nisur sonte këtu, do të kushtrojë fort e do të mbahet në mend gjatë, jo vetëm sonte, jo vetëm nesër, por do të kushtrojë fort e gjatë, për gjenerata të tëra që do të vijnë pas.” – tha Abdixhiku.
Kreu i LDK-së dha mesazhe të forta për bashkim dhe ndryshim, duke e konsideruar këtë moment një rikthim të vlerave që LDK-ja gjithmonë ka përfaqësuar.
“U bëmë një shpejtë. U bëmë bashkë, sikurse dikur, sikurse kishit kërkuar gjithherë! LDK-në e kërkuar e gjetët! Popullin e kërkuar e gjetëm.” – deklaroi Abdixhiku para mijëra entuziastëve në sheshin “Skënderbeu”.
Ai tha se përbashkimi i qytetarëve rreth vlerave të lirisë, qetësisë dhe normalitetit dëshmon se populli i Kosovës është i vendosur për ndryshim.
“Dhe në këtë përbashkim tonin, pamë të vërtetën e popullit tonë. Të një populli që e do lirinë. Të një populli që e do qetësinë. Të një populli që e do normalitetin; të një populli që është falënderues ndaj miqve e kërkues ndaj vetes, por mbi të gjitha, të një populli që kërkon ndryshim!” – tha Abdixhiku.
Abdixhiku theksoi rëndësinë e këtij momenti për të ardhmen e Kosovës, duke ftuar çdo qytetar që të rreshtohen prapa një ideje dhe një vizioni të përbashkët për një shtet më të fortë dhe demokratik:
“Sepse nuk ka Republikë të partive. Nuk ka Republikë të tekeve. Nuk ka Republikë të ngjyrave. Ka një Kosovë dhe një Kosovë të vetme. Ka një ëndërr dhe një ëndërr të vetme. Ka një mision dhe një mision të vetëm. Republika jonë është vet ëndrra jonë! Ndryshimi sot, është misioni jonë!
Ky mesazh le të jetë një thirrje për çdo qytetar, çdo të djathtë, çdo patriot në Kosovë e në Mërgatë. Le të bëhemi bashkë. Le t’i shtrijmë dorën njëri tjetrit; të gjitha regjionet, të gjitha brezat, të gjitha anët, le të rreshtohemi prapa një ideje e një ëndrre që sot kërkon angazhimin tonë monumental.
Le të ndërtojmë atdheun tonë demokratik, lidhjen tonë mbarëkombëtare; le ti japim vetes një fitore politike si asnjëherë më parë, e Kosovës, gjeneratave të tashme e të ardhme, shtetin që e kemi ëndërruar gjithherë.” – tha Abdixhiku.