Abdixhiku pret në takim ambasadorin amerikan, e njofton për qëndrimin e LDK-së rreth dialogut
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka pritur në zyrat e LDK-së ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier.
“Themelet e bashkëpunimit tonë janë historike dhe mbi to do të vazhdojmë të ndërtojmë të ardhmen e përbashkët”, ka shkruar Abdixhiku në “Facebook”.
Ai ka treguar se me Hovenierin biseduan për zhvillimet politike në vend dhe procesin e dialogut.
“Ambasadorin e njoftova mbi qëndrimin tashmë të bërë publik të Lidhjes Demokratike të Kosovës mbi procesin e dialogut. LDK-ja i ka dhënë gjithnjë përkrahje procesit të dialogut, me ndërmjetësimin e BE-së dhe me përfshirjen e drejtpërdrejtë të ShBA-ve. LDK-ja po ashtu mbështet implementimin e të gjitha marrëveshjeve që janë arritur në këtë proces”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka theksuar se LDK-ja përsërit se Kosovës i duhet një marrëveshje e përqendruar te njohja e ndërsjellë dhe se asnjë marrëveshje tjetër nuk garanton normalizim të marrëdhënieve Kosovë – Serbi.
“Në takim po ashtu elaboruam edhe pikëpamjet tona mbi Preambulën, Nenin 7 dhe Nenin 10 të tekstit të marrëveshjes”, ka njoftuar Abdixhiku.