
Abdixhiku pret në takim diplomatin gjerman
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka pritur sot në takim sekretarin e shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Miguel Berger.
LDK-ja ka bërë me dije se gjatë takimit është diskutuar për procesin e dialogut Kosovë – Serbi, nevojën për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës si dhe procesin e Berlinit.
Njoftimi i plotë i LDK-së:
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku priti në takim Sekretarin e shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Miguel Berger.
Berger i shprehu ngushëllime kryetarit Abdixhiku për viktimat e aksidentit tragjik në Kroaci, ku humbën jetën 10 bashkatdhetarë tanë duke ardhur në Kosovë. Po ashtu kryetari Abdixhiku i shprehu ngushëllimet për familjet e jetëve të humbura dhe popullin gjerman pas vërshimeve.
Kryetari Abdixhiku e njoftoi z. Berger për prioritetet e tij, qëndrimet e LDK-së karshi situatës aktuale politike, si dhe për organizimin e LDK-së për zgjedhjet lokale të tetorit.
Ai e falënderoi z. Berger për mbështetjen e vazhdueshme që shteti gjerman i kanë dhënë Kosovës në të gjitha proceset.
Gjatë takimit u diskutua për procesin e dialogut Kosovë – Serbi, nevojën për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës si dhe procesin e Berlinit, i cili ndër të tjerash parasheh edhe liri të lëvizjes për qytetarët e Ballkanit Perëndimor.