Abdixhiku pret në takim lamtumirës ambasadorin amerikan: Hovenieri, kujdestar i përkushtuar i relacioneve Kosovë-ShBA
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka pritur në takim lamtumirës, ambasadorin amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, të cilin e ka falënderuar për përkushtimin e tij ndaj relacioneve në mes të dy shteteve.
Abdixhiku ka shkruar në “Facebook” se Hovenieri ka qenë kujdestar i përkushtuar i relacioneve Kosovë-ShBA.
Postimi i plotë:
Ambasadorin e ShBA-ve Jeffrey Hovenier, e prita në takim lamtumirës në Selinë Qendrore të LDK-së.
E falënderova për gjithë angazhimin e gjithë përkushtimin e tij, jo vetëm si ambasador, por dhe si përfaqësues amerikan i viteve të shpalljes së pavarësisë. Jeff ka qenë njohës i mirë i Kosovës, ka qenë përfaqësues i mirë i interesave strategjike të SHBA-ve në Kosovë; dhe mbi të gjitha kujdestar i përkushtuar i relacioneve mes dy popujve!
Jeff, ka qenë pasionant i futbollit kosovar. Kemi ndjekur bashkë lojëra të shumta të Kombëtares së Kosovës. Në LDK, u kujdesëm që si gjysh i 6 mbesave e 1 nipi që është – Charlotte, Oliver, Lucie, Jacqueline, Katherine, Madeline, Amelia – me të kthyer në shtëpi, t’u dhurojë atyre nga një fanellë të kombëtares sonë me emrat e tyre në to. T’i mbajnë si kujtim të përhershëm nga shteti i fundit ku ai shërbeu si ambasadorë.
LDK pret të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë dhe historik me ambasadorin e ri të administratës së re, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sepse lidhja jonë është ideologjike, është insitucionale, është afatgjate – tash e 35 vjet!