Abdixhiku prezanton programin për transformim ekonomik të Kosovës: Kemi guxim, ambicie e kompetencë

11 nëntor 2024 | 21:39

Lumir Abdixhiku, kandidat i LDK-së për kryeministër të Kosovës, ka shpallur zyrtarisht fillimin e fushatës për transformimin ekonomik të Kosovës, duke prezantuar programin e tij politik për periudhën e ardhshme.

Abdixhiku bëri të ditur se, përveç iniciativës “Turneu i Ndryshimit”, ai ka nisur dhe shpalosjen e programit të tij para qytetarëve dhe grupeve të interesit në të gjithë Kosovën, duke filluar me një ngjarje në Prishtinë.

Në një postim në Facebook, Abdixhiku theksoi se programi që ai dhe ekipi i tij kanë përgatitur është “më transformuesi që ka pasur Kosova ndonjëherë”, dhe përqendrohet në ide ambicioze dhe rigjeneruese për zhvillimin e ekonomisë. Ai shprehu besimin e tij në potencialin ekonomik të Kosovës, duke theksuar se ky program synon të krijojë mundësi të reja për qytetarët dhe bizneset, duke i dhënë shtetit kompetenca të nevojshme për të arritur rezultate të prekshme.

“Ne besojmë në Kosovë! Besojmë në njerëzit tanë, punëtorët tanë, ndërmarrësit tanë. Të gjithë bashkë janë forcë e pandalshme ekonomike dhe pasuri e vërtetë nacionale!” shkroi Abdixhiku.

Ai theksoi se për të realizuar këto objektiva, duhet një shtet me ambicie, guxim dhe kompetencë.

Programi i tij përfshin një gamë të gjerë masash dhe investimesh të mëdha, përfshirë:

5% rritje ekonomike çdo vit
5 miliardë euro investime
5 miliardë euro buxhet deri në fund të mandatit
Pako Fiskale 2.0 dhe ulje të TVSH-së për produktet bazike
170 milionë euro për Aviokompani Kombëtare
80 milionë euro për zhvillimin e Brezovicës dhe 50 milionë euro për Qendrën e Skijimit në Pejë
Themelimi i Ministrisë së ICT-së dhe krijimi i një fondi për teknologjinë dhe inovacionin me 120 milionë euro
Trajnimi i 40 mijë të rinjve në ICT dhe krijimi i një Qendre Kombëtare të Inteligjencës Artificiale me 15 milionë euro

Abdixhiku gjithashtu theksoi se Kosova ka nevojë për ndryshim dhe se është koha për të filluar një periudhë të re të zhvillimit dhe prosperitetit, ku sektori privat, veçanërisht bizneset dhe punëtorët, do të jenë në qendër të ndryshimeve ekonomike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se në vitin…