Abdixhiku pritet në Departamentin Amerikan të Shtetit

15 nëntor 2022 | 18:21

Ditën e parë të vizitës në SHBA, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku e ka nisur në Departamentin Amerikan të Shtetit, ku u prit nga Gabriel Escobar, zëvendësndihmëssekretar i Shtetit dhe i Dërguari i Posaçëm i SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor.

“LDK-ja është mirënjohëse për ndihmesën historike dhe aktuale të Qeverisë së SHBA-ve, të institucioneve të tjera dhe të popullit amerikan për Republikën e Kosovës. Së bashku, deri më tani, kemi arritur rezultate historike, mbi të cilat duhet të sigurohet e ardhmja e Kosovës si shtet i barabartë me të gjitha shtetet e tjera të botës. Kosova, shtet i pavarur e sovran, e anëtarësuar në NATO e BE dhe në miqësi të përhershme me SHBA-të, është misioni ynë i pandryshuar”, ka shkruar Abdixhiku në “Facebook”.

Në këtë drejtim, ai ka shtruar kërkesën për arritjen dhe nënshkrimin e ‘Kartës për Partneritet Strategjik ndërmjet SHBA-ve dhe Kosovës’.

“Kjo kartë bilaterale partneriteti, siguron avancimin e relacioneve mes dy shteteve në mbrojtje, politikë, energjetikë, edukim, ekonomi, kulturë e të drejta të njeriut. Karta në fjalë, avancon në nivel të ri marrëdhëniet bilaterale mes dy shteteve, siç dhe ofron dhe garanci të shëndosha për të ardhmen euroatlantike të Kosovës e regjionit”.

“Z. Escobar i prezantuam dhe pikëpamjet tona mbi gjendjen e fundit të sigurisë në Kosovë, si dhe nevojën e koordinimit të ngushtë të institucioneve të Kosovës me SHBA-të dhe me partnerët e tjerë. Koordinimi i tillë është garanci për të kapërcyer të gjitha sfidat”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka theksuar se në frymën e diskutimit që pati sot në Departamentin e Shtetit ka shprehur edhe një herë shqetësimin e tij dhe të LDK-së për shkallën në të cilën institucionet e Kosovës e kanë degraduar raportin me Qeverinë amerikane.

“Për shtetin tonë të ri, aleanca me SHBA-të është jetike. Kështu ka qenë tash e më shumë se tri dekada. Aleanca dhe bashkëpunimi i ngushtë me SHBA-të dhe me partnerët evropianë, Kosovës ia kanë sjellë lirinë dhe pavarësinë. Populli i Kosovës është përjetë mirënjohës për gjithë angazhimin e partnerëve tanë”.

“Edhe një herë, u bëj thirrje institucioneve të vendit që të bashkëpunojnë ngushtë me SHBA-të dhe partnerët e tjerë, në funksion të shtrirjes së sundimit të ligjit në të gjithë territorin e Kosovës, të sigurisë dhe të prosperitetit për të gjithë”, ka shkruar Abdixhiku.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtori i Zyrës Ligjore “First-consulting” dhe i “Zërit Perëndimor të…