Abdixhiku, qeverisë: Kthejani paratë qytetarëve dhe shkarkojeni bordin e ZRrE-së
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka theksuar nga shkurti e deri më sot, qeveria e paaftë e Kosovës i ka detyruar qytetarët që të paguajnë kundërligjshëm rrymën me rritje deri në 100%.
“Tarifat u detyruan t’i kthejnë. Tani duhet kthyer edhe paratë e plaçkitura kundërligjshëm për disa muaj rresht. Janë para tuaja; u janë marrë pa të drejtë. Dhe jo vetëm kaq. Bordi i Qeverisë e ZRRE-së, i njëjti që për muaj rresht e në mes të dimrit, ngarkoi familjet kosovare me çmime astronomike në energji – duhet të shkarkohet menjëherë. Ata s’kanë më asnjë kredibilitet”, ka shkruar Abdixhiku në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka thënë se nga e hëna, LDK-ja do të nisë të gjitha procedurat e nevojshme parlamentare në këtë drejtim.
“Kuvendi i Kosovës ka për detyrim sanksionimin e paligjshmërisë. Shkarkimi është i paalternativë. Siç është e paalternativë dhe përgjegjësia morale e secilit deputet, ministër e vet kryeministrit që me bindje plot mbronin këtë vendim plaçke e diskriminimi që tani më ka marrë vulën e turpit e paligjshmërisë. Ktheni paratë; shkarkojeni Bordin; mbani përgjegjësi!”, ka shkruar Abdixhiku.