Abdixhiku, qeverisë: Në Badovc keni edhe një urë, aty s’po lyeni, s’po testoni e s’po ndërtoni
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se sesioni vjeshtor po nis në një gjendje të sfidave të paprecedenta për vendin.
Ai ka përmendur që vendi është nën masa e sanksione:
“Po e nisim këtë sesion vjeshtor fatmirësisht dhe të fundit të kësaj legjislature, fatkeqësisht në gjendje të pandryshueshme, në gjendje të sfidave të paprecedenta për vendin. Me ndjenjën e vazhdueshme të ndasive brenda nesh, ku akuzat e tradhtisë e Serbisë janë gjuhë e rëndomtë, sikurse edhe ndjenjen e thellë të izolimit ndërkombëtar. Në pabesinë më të madhe historike, kemi zënë vendin e ankuesve ndaj aleatve tanë, i sulmojmë, i godasim, për të marrë në fund vulën e fajtorin dhe njollën e një shteti të vetmuar me të cilin nuk do të merret asnjë vend evropian, prandaj nuk kemi asnjë njohje, asnjë anëtarësim, prandaj ne jemi nën masa e sanksione”.
Një politikë e tillë, siç ka thënë Abdixhiku, është mundur para 25 viteve, por tashmë “tavolinat janë rrotulluar’’.
“Një politikë e tillë, e njohim shumë qartë, e kemi mundur 25 vite më parë, ne njerëzit e lirë të Kosovës. Ne ishim vetë, e u bëmë me aleatë, ishim në të drejtën tonë, ishim të suksesshëm, e kundërshtarët tanë i lamë të mbyllur. Duke se koha ka rrotulluar tavolinat, kështu ndodhë kur në momente historike, udhëhiqesh nga politika të papërgjegjshme, populliste, e në kriza përplot mllef e urrejtje ndaj secilit. 4 vite të mëdha, për ndryshim të madh mbrapsht. Kemi kaluar përtej pikës së kthimit, prandaj shtetësia jonë u godit nga vendimi i BE-së i njohjes së pasaportave serbe të lëshuara për territorin e Kosovës, ta kuptojmë këtë gjendje fatale, BE-ja e njeh shtetin autoritar serb mbi Kosovën, 17 vite pas pavarësisë, 25 vite pas lirisë”, ka thënë ai.
Abdixhiku ka folur edhe për urën e Ibrit, duke e lidhur me atë të Badovcit.
“Askush nuk ishte kundër, të gjithë ishin për, në fund ngritët pyetja a je për apo kundër, këndej apo andej urës, jam dhe jemi kundër përplasjes me NATO-n, ka një vijë që s’e kalojmë dot, NATO dhe Kosova janë bashkë, asnjëherë përballë, në asnjë dëshirë të errët e ekstremiste nuk mund ta ndryshojë drejtimin properëndimor të Kosovës. Këtu në Badovc ka një urë tjetër, aty nuk ka NATO, nuk ka media, nuk ka asnjë pengesë që të përfundojë, tash e sa vite mijëra vetura kalojnë nëpër rrugën që s’ka urë, qeverinë s’e ke aty, as duke lyrë, as duke testuar a aq më pak duke ndërtuar”.