Abdixhiku: Shqetësim kemi vetëm kthimin e qytetarëve në vend
Ministri i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se sot herët në mëngjes janë kthyer 39 qytetarë në Kosovë. Në mesin e të kthyerve është edhe ekipi Kombëtar i Boksit. Abdixhiku ka njoftuar se të gjithë këta do të vendosen në karantinë 14 ditore në Qendrën Studentore në Prishtinë.
Nëpërmjet një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, Abdixhiku ka thënë se kthimi i qytetarëve të evidentuar nga ambasadat do të vazhdojë në mënyrë të kujdesshme dhe të organizuar. Ka thënë se zhvillimet e tjera s’janë brengë e tyre tani, duke aluduar kështu për zhvillimet politike në vend, përkatësisht mocionin e mosbesimit të LDK-së për qeverinë Kurti.
Ai ka bërë thirrje që qytetarët e ngujuar të vazhdojnë t’i kontaktojnë ambasadat. “Kthimi i qytetarëve të evidentuar nga ambasadat tona jashtë, në mënyrë të kujdesshme, të organizuar e pa rrezik për qytetarët këtu, do të vazhdojë. Këtë punë do ta bëjmë dhe zhvillimet e tjera s’janë brenga e jona tani”, ka shkruar Abdixhiku.