Abdixhiku sot shpalos 100 projektet e ‘Rrugës së re’: E ardhmja jonë është e ndritshme
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka bërë me dije se dot (e hënë) do t’i shpalosë 100 projektet e zotimet më të mëdha të “Rrugës së re”.
Abdixhiku ka shkruar në “Facebook” se këto projekte janë “të elaboruara në një program voluminoz të detajuar i cili në plotni do të prezantohet në Konventën e madhe programore të Lidhjes Demokratike gjatë muajve tetor e nëntor të këtij viti”.
Ai ka thënë se projektet përfshijnë buxhet 4.5 miliardë euro në fund të mandatit të parë, ndërtimin e një centrali me gaz, ndërtimin e një qendre të re spitalore në Prishtinë, ndërtimin e stadiumit kombëtar, etj.
“Me bashkudhëtarët e Lidhjes – dhe jo vetëm – do të shpalosim secilin projekt në detaje. Do të hapim debate të gjëra në gjithë vendin. Do ta shpalosim të djathtën tonë si vlerë përparimtare e zhvillimore. Si antidot i zymtësisë së tanishme; si shërues i polarizimit përçarës; si shpërthim i ngufatjes në të shkuarën”.
“Ne duam të flasim për të ardhmen. E shkuara s’na kthehet më. S’kemi pse humbasim kohë. E ardhmja po na ikën përpara. Ne shohim një Kosovë më ndryshe. Ku urrejtja e brendshme zëvendësohet me unitet nacional. Ku akuzat, sharjet e ofendimet zëvendësohen me projekte të mëdha. Ku cinizmi zëvendësohet me ambicie e ëndrra që lehtësisht bëhen realitet. Duam të flasim për atdheun tonë si një vend që pasurohet siç dhe e meriton; me një shoqëri moderne e me një gjeneratë që e bën Kosovën të barabartë mes shteteve e kombeve evropiane”, ka shkruar Abdixhiku.