Abdixhiku takohet me Ahmetin: Gjuha shqipe dhe historia e shqiptarëve përbëjnë identitet të patjetërsueshëm

17 dhjetor 2024 | 14:35

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, me bashkëpunëtorë, ka pritur në takim kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmetin.

Abdixhiku dhe Ahmeti kanë diskutuar për zhvillimet e fundit politike në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut në një kohë kur stabiliteti dhe zhvillimi rajonal mbeten të rëndësishme për të dyja vendet.

Duke njohur kontributin e Ahmetit dhe të BDI-së për forcimin e rolit politik të shqiptarëve, kryetari Abdixhiku ka vlerësuar domosdoshmërinë e ruajtjes së të arriturave historike të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, si dhe forcimin e bashkëpunumit ndërshqiptar.

“Shqiptarët janë faktor vendimtar për stabilitetin dhe prosperitetin e Maqedonisë së Veriut. Gjuha shqipe dhe historia e shqiptarëve përbëjnë identitet të patjetërsueshëm”, ka theksuar Abdixhiku.

Ndërsa lideri i BDI-së,  Ali Ahmeti, ka çmuar lart rolin historik të LDK-së dhe të ish-presidentit Ibrahim Rugova në pavarësimin e Kosovës dhe në ndërtimin e shtetit. Po ashtu, Ahmeti ka vlerësuar lart lidershipin e kryetarit Abdixhiku në procesin e rikthimit të forcës elektorale të LDK-së, si dhe i ka uruar sukses në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vazhdon shkëlqimi i futbollistëve shqiptarë në kampionatin zviceran që çdo…