Abdixhiku takon disa doktorantë dhe profesorë nga Gjermania: Dyert e debatit në LDK janë të hapura
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka pritur të martën një delegacion me doktorantë dhe profesorë universitarë nga Gjermania.
Abdixhiku ka thënë se mysafirët janë interesuar për gjendjen politike në Kosovë.
“Në zyrat e LDK-së, sot prita për bashkëbisedim një delegacion njëzet anëtarësh – doktorantë e profesorë universitarë nga Gjermania. Pjesëmarrësit, bursistë të KAS-it, së bashku me profesoreshën dhe nënpresidenten e fondacionit, dr. Beate Neuss, shprehën interesim për gjendjen politike në Kosovë dhe të ardhmen që si shoqëri po synojmë. Studiuesit e marrëdhënieve ndërkombëtare e të çështjeve të sigurisë shtruan pyetje e tema diskutimi mbi ambiciet tona euro-atlantike si shtet dhe vizionin tonë politik si parti”, ka shkruar Abdixhiku në llogarinë e vet në “Facebook”.
Më tutje, Abdixhiku është shprehur se dyert e debatit me LDK-në janë të hapura.
“Takimet bashkëbiseduese brenda LDK-së, me akterë të brendshëm e ndërkombëtarë pa dallim, do t’i mbajmë në vazhdimësi – për të kuptuar në njërën anë bindjen e të tjerëve për ne, e për t’i shtruar bindjet e mendimet tona tek të tjerët. Dyert e debatit me LDK-në janë të hapura”, ka shkruar Abdixhiku.