Abdixhiku takon liderët e Luginës, bëhet thirrje që shqiptarët t’i përgjigjen regjistrimit të popullsisë

12 tetor 2022 | 23:32

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku së bashku me nënkryetarin Lutfi Haziri, ka pritur në darkë pune në Prishtinë të gjithë udhëheqësit partiak dhe liderët institucional të shqiptarëve të Luginës.

“Së bashku me kryetarin e PVD-së dhe deputetin, z. Shaip Kamberi; kryetarin e Alternativës për Ndryshim dhe kryetarin e Komunës së Preshevës, z. Shqiprim Arifi; kryetarin e PD-së dhe kryetarin e Komunës së Bujanocit, z. Nagip Arifi; kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, z. Ragmi Mustafi; kryesuesin e Kuvendit Komunal në Preshevë, z. Sami Salihu; kryetarin e LPD-së z. Shqiprim Musliu; kryetarin e AFEDS, z. Muharrem Salihu; dhe kryetarin e VATRA-s, z. Kushtrim Kadriu – biseduam mbi gjendjen e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë”.

“Nga ky takim, dolëm dhe me apel të përbashkët për të gjithë shqiptarët e kësaj ane – ata që jetojnë në Luginë, Kosovë e Mërgatë – që të marrin pjesë në procesin e regjistrimit të popullsisë në tre komunat shqiptare. Regjistrimi masiv është përgjigje ndaj diskriminimit strukturor ndaj shqiptarëve të Luginës, siç dhe është kontribut patriotik në avancimin e të drejtave autoktone të shqiptarëve të Luginës”, ka shkruar Abdixhiku në “Facebook”.

Ai ka theksuar se si LDK, do të angazhohen me të gjitha kapacitetet e tyre politike në unifikimin e spektrit politik shqiptar në çështjet me interes kombëtar; për të drejtat politike dhe civile të shqiptarëve të kësaj ane që sot jetojnë në Kosovë – me theks sigurimin e nënshtetësisë; si dhe ndihmesën shtetërore për banorët e komunave në fjalë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rusia dhe Kina po bëjnë lëvizje për të rrëzuar nga…