Abdixhiku: Tarifa e lirë e rrymës është shtrenjtuar 104 për qind
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Andixhiku, ka kundërshtuar vendimin e Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për shtrenjtimin e energjisë elektrike.
Në një konferencë për medie, ai ka thënë se çmimi i rrymës është rritur me urdhër të Qeverisë Kurti.
Sipas tij, tarifa e lirë e energjisë është rritur 104 për qind.
“Kjo konferencë është si rezultat i vendimit të sotëm të bërë publik, vendim i Qeverisë, i kamufluar nën petkun e ZRrE-së për shtrenjtimin astronomik të energjisë elektrike në Kosovë. Ky vendim i kamufluar përmes ZRrE-së, parasheh që çdo shpenzim mbi 800 kilovat në orë do të paguajnë tarifën e shtrenjtë nga 6.75 cent sa është sot në 12.5 cent, pothuajse dyfshi më shtrenjtë. Ndërkaq tarifën e lirë nga 2.89 cent sa është sot në saktësisht 5.9 cent apo 104% më shtrenjtë”, ka thënë ai.
Ai ka deklaruar se do tentojë t’i mbledhë 40 nënshkrime për një seancë të jashtëzakonshme, me qëllim të diskutimit së vendimit të fundit të ZRRE-së për çmimin e energjisë elektrike.
“Reagimi i vonshëm po prodhon krizën më të rëndë në historinë e Republikës së Kosovës. Shtrenjtimi vjen kur qytetari po përballet me shumë kriza të tjera. Kjo barrë e re tregon për mungesë ndjeshmërie nga kryeministri Kurti për qytetarët. Ai që mendon se rryma është e lirë, nuk mund të jep zgjidhje të mirë. Kryeministri është shndërruar në kontabilist, në vitin e parë të qeverisjes po i jep çmimet për qytetarët”, është shprehur Abdixhiku.