Abdixhiku thekson shqetësimin e LDK-së për raportin e dëmtuar të Qeverisë së Kosovës me ShBA-të
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, u takua me zëvendësndihmës sekretarin e Departamentit Amerikan të Shtetit, njëherit i dërguari i ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, të cilin e uroi për detyrën e re dhe i ofroi bashkëpunim të ngushtë të LDK-së në çështjet strategjike vitale për të dy vendet.
Kryetari Abdixhiku theksoi shqetësimin e LDK-së për raportin e dëmtuar të Qeverisë së Kosovës me ShBA-të, si dhe me partnerët e tjerë strategjikë politikë dhe të sigurisë.
Sipas njoftimit të LDK-së, kryetari Abdixhiku e siguroi Kasanofin se, me formimin e qeverisë së re, të drejtuar nga LDK-ja, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, riparimi i këtyre raporteve do të jetë çështje e prioritetit më të lartë.
Kryetari Abdixhiku, po ashtu, e njoftoi Kasanofin për ecurinë e përgatitjeve për fushatën parazgjedhore, për takimet me qytetarët gjithandej Kosovës, si dhe për shtyllat kryesore të programit politik “Rruga e re”.
Abdixhiku theksoi se partneriteti strategjik me ShBA-të në fushën e ekonomisë, të energjisë dhe të sigurisë është jetik për LDK-në dhe për Kosovën.