Abdixhiku: Themeluam grupin punues për kthimin e 120 milionë eurove në menaxhimin e Kosovës
Deputeti i LDK-së njëherësh edhe kryetari i Komisionit për Buxhet edhe Financa, Lumir Abdixhiku, ka thënë se keqpërdorimet më të mëdha financiare në Kosovë bëhen nga OJQ-të të cilat funksionojnë si institucione mikrofinanciare.
Përmes një postimi në profilin e vet në “Facebook”, ai ka thënë se OJQ-të nuk i paguajnë shtetit tatim dhe për këtë arsye në komisionin që ai e menaxhon kanë formuar një grup punues për kthimin e parave.
Postimi i plotë i tij:
Mbi krimin 120 milionësh,
E procedurat që nisëm për kthimin e tyre.
Një ndër keqpërdorimet më të mëdha financiare në Kosovë mban vulën e institucioneve mikrofinanciare që operojnë si OJQ. Këto frankeshtajn organizata të krijuara në kohën e UNMIK-ut, janë të pashoq nëpër Evropë. Kishin nisur si institucione humanitare duke shpërndarë donacione si kredi, e sot janë transformuar në biznese që menaxhojnë plot 120 milionë euro në vit – të gjitha në emër të ndihmës për Kosovën. Për gjithë këto shuma, meqë janë OJQ, s’paguajnë tatim. Pjesën e fitimit e ndajnë si paga për menaxherë ndërkombëtarë nga 10-20 mijë euro në muaj. Pa tatim, të thirrura në interes publik, japin kredi me interes marramendës prej 25%. Për shumë familje kosovare një interes i tillë është rrënues.
Sa për të mos mjaftuar kjo, disa vite më parë të njëjtat kishin provuar që asetet prej 120 milion eurove të dhëna e krijuara për Kosovën si donacion, ti kthejnë në pronë private të tyre. Pra t’i përvetësojnë plot 120 milionë euro të Kosovës për vete. Kjo nismë ishte shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese menjëherë.
Sot në Komision për Buxhet e Financa nisëm procedurat për zgjidhjen e kësaj anomalie 20 vjeçare. Sot formova një grup punues që ka për qëllim kthimin e këtyre 120 milionë eurove nën menaxhimin e Kosovës.
Më thanë që këto institucione kanë lob të fuqishëm e me ndikim. Se iniciativat e tilla për shkak të interesit financiar s’kanë marrë asnjëherë dritë. Thash se nuk ka lob ma të fuqishëm se sa interesi i qytetarëve. Do të dalim shpejtë me ligj të ri. Fondet, të 120 milionët, duhet ti kthehen Kosovës.