Abdixhiku thotë se Kurti po e vendos Kosovën në një platformë të re negociuese
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, në seancën e Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet për dialogun në mes të Kosovës me Serbinë, ka drejtuar akuza ndaj kryeministrit Albin Kurtit.
“Gjatë javëve të fundit, LDK-ja ka provuar të kuptojë më shumë rreth procesit të dialogut… Kaq pak transparencë e kaq shumë shpërfillje ndaj përfaqësuesve të popullit nuk ka mundur të tregojë askush asnjëherë”.
“Sot në fjalimin e kryeministrit e kuptuam këtë dëmtim të rëndë të procesit dialogues. Na duhet t’i kujtojmë dy dokumente të rëndësishme. Është programi qeverisës i pari. Dhe i dyti është i gushtit 2022”, ka thënë Abdixhiku, duke shtuar se kryeministri Kurti është duke folur për arritjen e një marrëveshje, e cila nuk është finale.
“Në dokumentin e parë, kryeministri flet për angazhimin e Kosovës për arritjen e një marrëveshjeje finale, jo bazike. Pjesë e kësaj marrëveshjeje finale do të ishte njohja reciproke de jure me Serbinë. Njohja e pesë anëtarëve të BE-së. Dhe anëtarësimi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Në këtë dokument, kryeministri flet edhe për koordinim të ngushtë me opozitën. Përmbajtjen e dokumentit të dytë jua rikujtova në seancën e kaluar…”, ka thënë Abdixhiku.
Më tutje, Abdixhiku ka thënë se Kurti nuk ka arritur të realizojë asnjërin prej qëndrimeve të tij.
“Asnjëri nga gjashtë kapitujt e tij nuk janë pjesë e dialogut që ai e ka pranuar në fillim. Tash flasim për njohje bazë, pa njohjen de jure, që e vendos Kosovën në një platformë të re negociuese”, ka thënë Abdixhiku.
Abdixhiku ka pretenduar se Kurti e kishte bërë platformën e dialogut si platformë partiake.
“Për të jepet përshtypja se më e rëndësishme është ballafaqimi me rivalët politikë në Kosovë se sa me Serbinë”, është shprehur Abdixhiku, duke shtuar se Kosova me Kurtin nuk ishte koordinuar me aleatët e saj të mëdhenj, duke bërë që vendi ynë të binte në grackë të Serbisë.
Abdixhiku e ka quajtur populizëm pozicionin e kryeministrit në lidhje me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke shtuar se Kurti ose duhej ta shfuqizonte marrëveshjen ose ta zbatonte asociacionin sipas Kushtetutës së vendit.