Abdixhiku tregon çka i tha Kurtit derisa ishte ministër i tij
Lumir Abdixhiku ka zbuluar pjesë nga koha kur shërbente si ministër në qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti. Ai ka treguar se kur flitej për prishje të koalicionit me VV-në i kishte thënë liderit të Vetëvendosjes! se nuk do të gjente partner më të mirë se LDK-ja.
“Ne kemi pasur potencialin më të lartë si qeverisje, si grup qeverisës sepse kanë qenë dy parti të mëdha në vend me kapacitete të mëdha në të dy taborët me një gjuhë të përbashkët programore që është konsoliduar mirë në një program të mirë”, tha Abdixhiku në “T7”.
“Dhe nuk besoj, këtë ja kam thënë edhe kryeministrit të atëhershëm në kohën kur prishej koalicioni në disa takime Nuk besoj që do të kesh një situatë kur do të kesh më tepër potencial, pra ti mund të rrisësh votën, mund të bësh partneritete të tjera por në asnjë rrethanë s’do të kesh një potencial kaq të madh ndryshimi për vendin”, shtoi ai.
Abdixhiku ka treguar se ishte takuar disa herë me atëher kryeministrin Kurti për t’i treguar lidhur me dy letrat e shprehjes së interesit, atë për autostrada dhe atë për hekurudha.
“Natyrisht, i kemi pasur 2-3 takime. Letrat i kam dorëzuar ditën e parë që i kam marrë. Edhe në detaje i kemi diskutuar më pas këto çështje”, shpjegoi Abdixhiku.
Nënshkrimi i letrave të interesit mes Kosovës dhe Serbisë ndodhi pak çaste para fillimit të Konferencës së Sigurisë në Munih.
Ai ka folur edhe për shkarkimin e minisrit të Brendshëm, Agim Veliut, nga kryeministri i atëhershëm, Albin Kurti, duke thënë se ishte e ngjashme si një strategji në lojën e shahut. “Ne kemi diskutuar në një mbledhje lidhur me kompetencat e kryeministrit. Në atë mbledhje kanë qenë të pranishëm Besnik Bislimi, Glauk Konjufca, Albulena Haxhiu, Lutfi Haziri, Avdullah Hoti dhe unë. Në mbledhjen e shtatë kemi diskutuar për këtë situatë hipotetike. Mirëpo nëse kryeministri e shkarkon një ministër pa na njoftuar… është thënë se nëse vjen puna deri aty, duhet të ndërpritet bashkëpunimi”, ka thënë Abdixhiku.
Ai gjithashtu tha se shkarkimi ka qenë kurth i qëllimshëm që të rrënohet qeveria dhe të rritet popullariteti.
“Në shah është një hapje me kurth përmes së cilës hapet mbretëresha për kundërshtarin, që më pas të jepet shah-mat. Hapja e mbretëreshës duket si gabim, por në fakt është kurth. Në rastin tonë, mbretëresha ka qenë qeveria. Unë, besoj që është vënë një kurth i qëllimshëm që të rrënohet qeveria me bindjen që të rrihet popullariteti. Unë kam qenë kundër këtij kurthi, se e kam parë këtë kurth”, shtoi Abdixhiku