Abdixhiku tregon se çfarë bisedojë me presidenten dhe shefin e AKI-së
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se është takuar me presidenten Vjosa Osmani dhe drejtorin e AKI-së, Petrit Ajeti.
Abdixhiku ka thënë se në këtë takim është informuar për gjendjen e sigurisë në veri të vendit dhe për angazhimin e institucioneve shtetërore në përballje me sulmet terroriste gjatë së dielës.
“Mbrëmë kam pranuar ftesë nga presidentja e Kosovës për takim të përbashkët me të dhe Drejtorin e AKI-së. Këtë mëngjes, në takimin e përbashkët, jam informuar mbi gjendjen e sigurisë në veri të vendit dhe angazhimin e institucioneve shtetërore – veçmas ato të sigurisë e inteligjencës- në përballje me sulmet terroriste gjatë ditëve të fundit dhe jo vetëm”, ka shkruar Abdixhiku në “Facebook”.
Ai ka thënë se ka shprehur mirënjohjen e LDK-së për të gjithë në shërbim të shtetit dhe ka shprehur domosdoshmërinë e unitetit nacionale në përballje me sfidat që mund të vijnë nga Serbia.
“Kam shprehur mirënjohjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës për të gjithë në shërbim. Kam shprehur po ashtu domosdoshmërinë e unitetit nacional në përballje me sfidat që mund të vijnë nga Serbia si shtet sponsorizues e strehues i terroristëve. Djemtë e vajzat tona fituan betejën kundër terrorizmit në terren. Është koha ta fitojmë atë diplomatike në politikë. Në këtë përpjekje jemi bashkë. Në këtë përpjekje na duhen aleatë”, ka shkruar Abdixhiku.