Abdixhiku: Triumfi ushtarak i Koshares ishte kushtrim për të gjithë shqiptarët
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka bërë homazhe në 25-vjetorin e Betejës së Koshares, duke thënë se me thyerjen e kufirit shqiptar nisi një ndër përballjet më të lavdishme shqiptare të shekullit të 20-të.
“Akti i tyre i trimërisë, më tepër se simbolikë e thyerjes së një muri pushtimi, ishte frymëzim për rrugëtimin tonë drejt lirisë. Triumfi ushtarak i Koshares, ishte kushtrim për të gjithë shqiptarët”.
“Kosharja, të rënët, kjo lavdi e kjo sakrificë, është shenjë e vazhdueshme rikujtimi se çdo ditë e jona sot, është detyrim shërbimi ndaj atdheut tonë të shenjtë – Kosovës”, ka shkruar Abdixhiku “Facebook”.
Shkrimi i plotë:
Një çerek shekulli nga beteja e madhe e Koshares. Sot, me të gjallët triumfalistë, nderuam të rënët e përjetësisë. 25 vite më parë, në mëngjesin e 9 prillit të vitit 1999, djemtë dhe vajzat e Ushtrisë Çlirimtare, nisën betejën e thyerjes së kufirit shqiptar. Me këtë akt, ata nisën dhe një ndër përballjet më të lavdishme shqiptare të shekullit të 20-të.
Akti i tyre i trimërisë, më tepër se simbolikë e thyerjes së një muri pushtimi, ishte frymëzim për rrugëtimin tonë drejt lirisë. Triumfi ushtarak i Koshares, ishte kushtrim për të gjithë shqiptarët.
Sot, nderojmë gjithë të rënët; falënderojmë gjithë të gjallët. Sot, kujtojmë të 113 heronjtë e Koshares dhe sakrificën e tyre mbi altarin e lirisë. Agimi, Saliu, Abazi, Xhemajli, Aliu me secilin tjetër të rënë, na kujtojnë se sa rëndë peshon liria, se mbi çfarë sakrifice të shtrenjtë të djemve e vajzave të UÇK-së – gjeneratat e sotme e përjetojnë shtetësinë.
Sot, kujtojmë dhe nderojmë po ashtu francezin Paillard Arnaud Pierre, algjerianin Murad Muhammad Ali e italianin Francesco Giuseppe Bider.
Familjarët e Francesco Giuseppe Bider patëm nderin t’i takojmë sot pran varit të tij. Me mburrje, i vëllau, na tregoj dhe kapelën ushtarake të gjyshit e babait të tij; që qëndronte pranë një plisi shqiptar – si trashëgimi familjare. Francesko ishte vullnetar në Koshare. Ai ra, për lirinë tonë e breznive që vijnë!
Kosharja, të rënët, kjo lavdi e kjo sakrificë, është shenjë e vazhdueshme rikujtimi se çdo ditë e jona sot, është detyrim shërbimi ndaj atdheut tonë të shenjtë – Kosovës.
Lavdi dëshmorëve!