Abdixhiku uron Llapin dhe Prishtinën
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i ka uruar Llapin dhe Prishtinën për fitimin e dy trofeve kryesorë në futbollin vendor këtë sezon, duke iu bërë thirrje institucioneve shtetërore për përkrahje më të madhe financiare për futbollin, të cilin e sheh si promotorin më të madh të vendit në rrafshin ndërkombëtar.
Pasi Llapi e fitoi Kupën e Kosovës për herë të parë në historinë e vet në mesjavë, duke e siguruar edhe një vend në kualifikime për garat evropiane, sot Prishtina e fitoi titullin e kampiones së Kosovës në Superligë.
Kosova do t’i ketë tri klube pjesëmarrëse në kualifikime për garat evropiane këtë sezon dhe shefi i partisë së tretë në vend kërkon që ato të përkrahen financiarisht.
Në një reagim në Facebook pasi Prishtina e shpall kampione e Kosovës, Abdixhiku shkroi: “Ditë më parë KF Llapi fitoi për herë të parë Kupën e Kosovës. Sot FC Prishtina u shpall kampion i Superligës, për t’iu rikthyer titullit pas 8 viteve pritje. Kështu u përmbyll edhe një sezon i vështirë i futbollit kosovar.”
Ai shtoi: “Të dy ekipeve, lojtarëve, trajnerëve, udhëheqësve e tifozëve në veçanti – atyre që u japin shpirtë përballjeve të përjavshme në vend – i uroj për sukseset respektive këtë vit; me shpresë shumë që emrin e Kosovës ta bartin me krenari në përballjet evropiane. Në çdo përballje jashtë, sporti – futbolli në veçanti – vazhdon të mbetet promotori kryesor i vendit tonë. Asgjë s’i afrohet. Asgjë! Si i tillë, i njëjti meriton vëmendjen më të lartë institucionale e financiare të Kosovës. Në këtë përpjekje do të jemi bashkë të gjithë.”
Prishtina do të kërkojë ta sigurojë një vend në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm përmes kualifikimeve që nisin në verë.
Ndërsa Drita ose Ballkani do t’i bashkohen Llapit në kualifikime për Europa Conference League.