
Abdixhiku uron për Ditën e Kushtetutës
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiu, ka uruar qytetarët e Kosovës për Ditën e Kushtetutës.
Në 17-vjetorin e kësaj dite, ai ka vlerësuar se Kushtetuta është udhërrëfyesi i Kosovës në rrugën e shtetndërtimit, në përforcimin e sundimit të ligjit dhe në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut.
“Sot, në Ditën e Kushtetutës, ne nderojmë themelet e shtetit tonë të pavarur dhe demokratik – dokumentin që mishëron aspiratat historike të qytetarëve tanë për liri, barazi dhe drejtësi. Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk është vetëm akti më i lartë juridik, por është udhërrëfyesi ynë në rrugën e shtetndërtimit, në përforcimin e sundimit të ligjit dhe në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut. Është zotimi ynë kolektiv për një të ardhme më të mirë, për një shtet të drejtë e të barabartë për të gjithë. Në këtë përvjetor, ne kujtojmë me respekt të thellë sakrificën dhe vendosmërinë e popullit tonë që i hapi rrugë krijimit të këtij dokumenti historik”.
“Sot, 17 vite pas, jemi të thirrur edhe të reflektojmë thellë. Shkeljet e Kushtetutës të përsëritura dhe sulmet e drejtpërdrejta ndaj Gjykatës Kushtetuese janë sinjal i qartë i praktikave që e rrënojnë rendin demokratik dhe e largojnë shtetin nga parimet mbi të cilat është ndërtuar. Kjo nuk është thjesht çështje ligjore – është plagë për demokracinë tonë dhe për besimin e qytetarëve në drejtësi. Nuk mund dhe nuk duhet ta lejojmë më këtë. Mbrojtja e Kushtetutës është përgjegjësi e secilit prej nesh që beson në një Kosovë të drejtë, të barabartë dhe demokratike. Le të jetë kjo ditë jo vetëm përkujtim, por edhe thirrje e fortë, të mos lejojmë më që vlerat tona themelore të asgjësohen. Të mos lejojmë më që të përdhoset ajo për të cilën kemi sakrifikuar kaq shumë. Urime të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, Ditën e Kushtetutës! Le të vazhdojmë në ndërtimin e një shteti të fortë, sovran dhe të drejtë!”, thuhet në urimin e Abdixhikut.